Abdixhiku i reagon Baton Haxhiut dhe Valon Sylës: Kanë agjendë kundër LDK-së – njëherë shpifën për Rugovën, tash thonë “mos i kujtoni viktimat”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u ka reaguar analistëve Baton Haxhiu dhe Valon Syla, pas deklaratave të tyre për presidentin historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarët e vrarë të LDK-së, shkruan Gazeta Politika.

Pa i përmendur me emra, Abdixhiku i është referuar fillimisht pretendimit të Baton Haxhiut se Rugova i kishte dërguar Sllobodan Millosheviqit një gur të mbështjellë me celofan.

Ai e ka cilësuar këtë pretendim si trillim, ndërsa ka përmendur edhe debatin e fundit për vendosjen e fotografisë së Rugovës në Presidencë.

“Ju kam thënë, mos i dëgjoni. Në fillim flasin për fotografi. Pse e kërkojnë aty. Le ta largojmë. Më pas trillojnë për gurë të mbështjellë në celofan e të nisur për në Beograd”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së më pas i është referuar deklaratave të Valon Sylës për viktimat dhe vrasjet e pazbardhura të veprimtarëve të kësaj partie.

Syla kishte thënë në emisionin “Pressing” se viktimat duhet të respektohen, por se “u bë boll më” me përdorimin e kësaj teme në debatet politike. Ai kishte pretenduar gjithashtu se disa persona ishin pjesë e UDB-së dhe ishin fshehur pas LDK-së.

Abdixhiku ka thënë se viktimat fillimisht u cilësuan “kufoma politike”, ndërsa tani po pretendohet se ishin vrarë për shkak se kishin qenë “UDB-ashë”.

“Dikur i shpallin viktimat kufoma politike – sepse s’kanë asnjë ndjesi njeriu. Fundja, njihen veç për zhurmë, shpifje, sharje e grushte mes vete – analizë u thonë këtyre. Në fund thonë ‘boll më’. Janë vra sepse ishin UDB-ashë”, ka deklaruar ai.

Sipas Abdixhikut, prapa këtyre deklaratave qëndron një agjendë kundër LDK-së, historisë së saj dhe rolit që ajo synon ta ketë në të ardhmen.

“Ju kam thënë me kohë. Që nga fillimi, këta kanë agjendë luftën kundër Lidhjes Demokratike. Se durojnë si ide, se pranojnë si histori, frikësohen nga e ardhmja. Prandaj me aq zell tregojnë çfarë duhet të ndodhë në këtë shtëpi. Shikovca u themi ne. I bajmë në qafë. Tash e gjashtë vjet, ditë e natë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka kërkuar reagim të fuqishëm nga Komisioni i Pavarur i Mediave, duke vlerësuar se deklaratat për vrasjet politike e lëndojnë kujtesën historike dhe i cenojnë themelet e Republikës së Kosovës.

“Familjet që tash e sa vjet presin të mësojnë kush ua vrau më të dashurit, sot dëgjojnë se përse ata e paskan merituar vrasjen. Ofenduesit nuk i edukojmë dot, por ky shtet ka institucione. Le të veprojnë!”, ka përfunduar Abdixhiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.