Uk Lushi mbron Kurtin nga sulmet për prejardhjen: Është më panshqiptar se shumica e shqiptarëve në Kosovë

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktivisti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka reaguar ndaj deklaratave të Fidan Jupollit për kryeministrin Albin Kurti, shkruan Gazeta Politika.

Reagimi i tij vjen pasi Jupolli e krahasoi figurën e Kurtit me atë të Aleksandar Rankoviqit dhe ngriti çështjen e prejardhjes së kryeministrit.

Lushi ka deklaruar se cilido shqiptar që e sulmon Kurtin duke pretenduar se ai nuk është nga Kosova apo nuk është “kosovar”, gabon dhe përdor gjuhë raciste.

“Fidan Jupolli dhe cilido shqiptar që sulmon Albin Kurtin që demek Albini nuk qenka i Kosovës dhe ‘kosovar’ është racist dhe gabim”, ka shkruar Lushi.

Sipas tij, Kurti është “më panshqiptar se shumica e shqiptarëve në Kosovë”, pasi prindërit e tij janë shqiptarë me prejardhje nga trojet shqiptare në Malin e Zi dhe nga Kosova.

“Krejt jemi shqiptarë, pavarësisht origjinës krahinore. Ju lutem, ndaloni sulmet me fashizëm gjeografik”, ka deklaruar ai.

Lushi ka theksuar se Kurti mund të kritikohet për qeverisjen, gabimet politike dhe raportin e tij me pjesët e tjera të kombit shqiptar, por jo për prejardhjen dhe identitetin kombëtar.

“Albin Kurti duhet goditur në padijeninë e tij të qeverisë, në paaftësinë e tij për ta afruar kombin e ndarë shqiptar dhe në gabimet e tij të shumta. Por jo në gjenet dhe gjakun shqiptar”, ka shkruar Lushi.

Ai i ka cilësuar si “kosovacentristë banalë” personat që i sulmojnë shqiptarët për shkak të origjinës së tyre krahinore.

Sipas Lushit, sulmet e tilla nuk e dëmtojnë Kurtin, por u shërbejnë qarqeve antishqiptare dhe e thellojnë përçarjen brenda kombit shqiptar.

“E kanë edhe keq, edhe gabim dhe nuk e dëmtojnë Albin Kurtin fare”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.