Qeveria studentore në Serbi synon t’i kufizojë “reality show”-t: Vetëm 45 minuta transmetim dhe pas orës 23:00

Qeveria e sapozgjedhur e Serbisë, e udhëhequr nga studentët, por ende pa një lider, synon ta kufizojë transmetimin e programeve “reality show” në vetëm 45 minuta në ditë dhe të lejojë transmetimin e tyre në kanalet televizive tokësore vetëm pas orës 23:00.

Partia Lista Studentore e rrëzoi nga pushteti në zgjedhjet e tetorit udhëheqësin shumëvjeçar të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, aleat i presidentit rus Vladimir Putin, duke premtuar luftimin e korrupsionit në këtë shtet ballkanik.

Sipas planit të publikuar në faqen e partisë, kanalet me pagesë do të mund të vazhdonin transmetimin e programeve “reality show”. Ndërkohë, Lista Studentore synon t’i ndalojë plotësisht transmetimet e drejtpërdrejta të këtyre programeve në kanalet tokësore.

Ritransmetimet dhe përmbajtjet shtesë të lidhura me to do të përfshiheshin brenda kufirit maksimal prej 45 minutash në ditë.

Transmetuesit do të detyroheshin ta ndërprisnin menjëherë programin në rast të shfaqjes së dhunës, gjuhës së urrejtjes ose kërcënimeve. Kanalet me pagesë nuk do t’u nënshtroheshin këtyre kufizimeve.

Lista Studentore i konsideron programet “reality show” simbol të kulturës së dhunës të promovuar gjatë qeverisjes autoritare të Vuçiqit. Për një kohë të gjatë, televizionet informative serbe janë konsideruar si të njëanshme në favor të regjimit.

Lista Studentore, e cila qëllimisht funksionon pa hierarki dhe nuk ka një drejtues të vetëm, ende po përballet me sfidat e para të qeverisjes pas fitores në zgjedhje.

Administrata e re synon përmirësimin e kushteve të punës dhe kufizimin e ndikimit që e konsideron të dëmshëm të programeve “reality show”. Ajo ka paralajmëruar gjithashtu mundësinë e vendosjes së javës katërditore të punës në Serbi.

“Do ta kufizojmë punën jashtë orarit në tetë orë në javë, ndërsa koha e përgjithshme ditore e punës nuk do të mund të kalojë 12 orë”, thuhet në faqen e partisë.

“Punëdhënësit që dëshirojnë do të mund ta zbatojnë javën katërditore të punës, me 32 orë pune të rregullt, duke i mbajtur të pandryshuara pagat e punonjësve.”

Lista Studentore synon ta ndryshojë edhe politikën e jashtme të Serbisë, veçanërisht duke e larguar vendin nga ndikimi rus dhe duke shqyrtuar mundësinë e mbajtjes së një referendumi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në fjalimin e parë të një përfaqësuesi të saj para BE-së, deputeti i sapozgjedhur Aleksandar Baucal deklaroi më 12 nëntor se partia do t’i intensifikojë përpjekjet për përmbushjen e kritereve të ndërmjetme të anëtarësimit.

“Rruga evropiane është rrugë reformash: forcimi i vlerave evropiane, ndërtimi i institucioneve funksionale dhe i një sistemi të mirëfilltë të sundimit të ligjit, si dhe zhvillimi i një ekonomie të qëndrueshme dhe të integruar në tregun evropian”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, partia nuk synon t’i ndërpresë plotësisht marrëdhëniet me Moskën, por thotë se dëshiron t’i ruajë raportet dypalëshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.