
Pas vrasjes së Liridona Ademajt, tashmë tre të dënuarit nuk treguan asnjë shenjë pendimi, madje edhe frekuentuan lokalet për argëtim.
Në aktgjykimin e Apelit, ndër të tjera, thuhet se Naim Murseli e ka mbajtur për krahu bashkëshorten Liridona Ademaj, në mënyrë që vrasësi, Granit Plava, ta qëllojë sigurt. Si arsye për vërtetim të dënimeve të Themelores, Apeli ka përmendur edhe kryerjen e krimit në prani të fëmijëve, shkruan KOHA.
Dëshira e madhe për ta vrarë, planifikimi i detajuar i vrasjes dhe kryerja e krimit në prani të dy fëmijëve, janë disa nga arsyet që shtynë Gjykatën e Apelit të vërtetojë dënimet për tre të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.
Apeli këtë javë ka konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për ish-bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli, dhe për Granit Plavën, e po ashtu edhe atë me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
Në aktgjykimin e gjykatës të siguruar nga KOHA, flitet edhe për mospendimin e të akuzuarve pas kryerjes së krimit.
“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”, thuhet në aktgjykim.
Në dokument përshkruhet edhe momenti i vrasjes. Në të thuhet se Murseli e ka mbajtur Liridonën për krahu, në mënyrë që Granit Plava ta qëllonte me armë.
“Në momentin kur ka shtënë me armë i akuzuari Granit Plava, i njëjti, pra, i akuzuari Naim Murseli, e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën L. A. dhe atë, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë, ku, edhe i akuzuari Granit Plava me një të shtënë e ka privuar nga jeta tani të ndjerën L. A., e që me këtë, tek ky i akuzuar, pra, i akuzuari Naim Murseli, plotësohet edhe elementi i dinakërisë, ngase, i akuzuari në fjalë, përveç që e ka sjellë tani të ndjerën në vendin e ngjarjes, të njëjtën edhe e ka mbajtur për krahu, me qëllim që i akuzuari Granit Plava ta realizojë vrasjen në mënyrë më të sigurt dhe të arrijë qëllimet e tij”, thuhet në aktgjykim.
Për të pandehurin Kushtrim Kokalla, shkalla e dytë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së Liridona Ademajt që t’i shqiptohet burgim i përjetshëm. Në arsyetim thuhet se ligji parasheh dënim më të butë për ndihmë në kryerjen e veprës penale.



