Zemaj i reagon Sadri Ramabajës pas akuzave sej Tahir Zemajt për rastin e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës: Gënjeshtër e madhe e udbashëve

Pretendimet e analistit Sadri Ramabaja se shqiptarë me uniforma të policisë serbe kishin marrë pjesë në operacionet gjatë të cilave u vranë Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kanë nxitur reagimin e ashpër të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, shkruan Gazeta Politika.

Përplasja mes tyre ndodhi në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku Ramabaja pretendoi se rrethanat e vrasjes së katër veprimtarëve nuk janë trajtuar siç duhet dhe se është fshehur përfshirja e policëve shqiptarë që atëherë shërbenin në strukturat e sigurisë jugosllave.

Duke folur për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun, Ramabaja ka thënë se në rrethimin e tyre kishin marrë pjesë shqiptarë të veshur me uniforma të policisë serbe.

“E kam fjalën për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun. Nuk i ka vrarë Serbia. Kjo është fshehje, ky mostrajtim si duhet i këtyre temave. I ka vrarë policia e Kosovës dhe nuk janë përgjigjur. Për fat të keq, kanë qenë shqiptarë ata që kanë marrë pjesë në rrethimin e tyre, natyrisht në uniformën e policisë serbe”, ka deklaruar Ramabaja.

Ai ka paraqitur pretendime të ngjashme edhe për operacionin në të cilin u vranë Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha.

Ramabaja ka përmendur konkretisht Tahir Zemajn, duke pretenduar se ai ishte suspenduar pasi kishte marrë pjesë në rrethimin e Malës dhe Berishës.

“Shqiptarët i kanë vrarë edhe Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun. Ka fakte. Për shembull, Tahir Zemaj është suspenduar sepse ka qenë pjesë e rrethimit të Malës dhe Berishës”, ka thënë Ramabaja.

Këto deklarata kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të Armend Zemajt, i cili i ka cilësuar pretendimet për Tahir Zemajn si gënjeshtra dhe shpifje.

“Është një gënjeshtër e madhe. Është shpifje. Janë aludime, pikërisht aludime të udbashëve. Më vjen keq që shprehem në këtë formë. Janë aludime të atyre që kanë punuar në UDB dhe tani janë transformuar si anëtarë të LPK-së dhe e kanë shpikur si teori”, ka deklaruar Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka mohuar se Tahir Zemaj kishte qenë pjesëtar i policisë ose i strukturave të atëhershme të sigurisë. Sipas tij, Zemaj kishte shërbyer në Armatën Popullore Jugosllave.

“Tahir Zemaj ka qenë anëtar i Armatës Popullore Jugosllave. Kurrë nuk ka shërbyer në polici apo në sigurinë e asaj kohe”, ka thënë ai.

Ramabaja, gjatë deklarimit të tij, nuk ka paraqitur dokumente që do t’i vërtetonin në mënyrë të pavarur pretendimet për rolin e Tahir Zemajt në operacionin ndaj Malës dhe Berishës.

Pretendimet e Ramabajës dhe mohimi kategorik i Armend Zemajt përfaqësojnë dy versione të kundërta, ndërsa sqarimi i plotë i këtyre rrethanave kërkon verifikim përmes dokumenteve arkivore dhe burimeve të besueshme historike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.