Robelli kritikon KFOR-in për pritjen e oficerëve serbë në Prishtinë: Po lavdëroni një ushtri që glorifikon kriminelët e luftës

Publicisti Enver Robelli ka kritikuar komandën e KFOR-it për pritjen e oficerëve të Ushtrisë së Serbisë në Prishtinë dhe për vlerësimet pozitive ndaj profesionalizmit të tyre, shkruan Gazeta Politika.

Robelli ka rikujtuar se gjenerali italian Roberto Vergori e mori komandën e trupave të NATO-s në Kosovë më 14 tetor, ndërsa vetëm gjashtë javë më vonë oficerë të ushtrisë serbe janë pritur në komandën e KFOR-it.

“Priten, mirëpriten dhe u lavdërohet profesionalizmi. Për çfarë profesionalizmi po flisni?”, ka pyetur Robelli.

Ai ka përmendur dislokimin e tankeve, avionëve luftarakë dhe mjeteve të tjera të Ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën, për të cilin ka thënë se ishte bërë me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Robelli ka përmendur edhe dyshimet se Ushtria e Serbisë ia kishte vënë në dispozicion poligonet e saj grupit të Milan Radoiçiqit para sulmit të armatosur në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Sipas tij, bëhet fjalë për një ushtri që boton dhe promovon veprat e ish-gjeneralëve serbë Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, të dënuar nga Tribunali i Hagës për krime të kryera në Kosovë.

Ai ka theksuar se Llazareviqi ka ligjëruar edhe para kadetëve të Akademisë Ushtarake në Beograd, ndërsa librat e këtyre gjeneralëve, ku sipas Robellit mohohen krimet në Kosovë, janë promovuar nga Ministria serbe e Mbrojtjes.

Publicisti ka përmendur gjithashtu shfaqjen nga Ministria serbe e Mbrojtjes të filmit “Korpusi i Prishtinës: Na komandon atdheu”, të cilin e ka cilësuar si propagandistik dhe si glorifikim të një strukture ushtarake përgjegjëse për krime ndaj civilëve.

Robelli ka vlerësuar se KFOR-i mund t’i referohet marrëveshjes së vitit 1999 me Ushtrinë e Serbisë për arsyetimin e takimeve të tilla, por ka theksuar se rrethanat politike kanë ndryshuar rrënjësisht pas përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Këto vizita të oficerëve serbë në Prishtinë nuk e shtojnë sigurinë e askujt. Përkundrazi, vetëm rihapin plagët e së kaluarës”, ka shkruar ai.

Robelli ka kërkuar që gjenerali Vergori, në takimet e ardhshme me përfaqësuesit ushtarakë serbë, t’i kërkojë Beogradit përgjegjësi për krimet e luftës.

Ai ka përmendur në veçanti ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, ndaj të cilit janë ngritur akuza publike për krime në Drenicë dhe për përfshirje në fshehjen e trupave të viktimave në varrezën masive të Rudnicës.

“Një komandant i KFOR-it do të duhej t’i kishte të gjitha këto hije të së kaluarës parasysh. Vergori, fatkeqësisht, nuk është i vetmi komandant i KFOR-it të cilit i mungon takti politik”, ka përfunduar Robelli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.