Bajqinovci kritikon KFOR-in për pritjen e oficerëve serbë: Institucionet e Kosovës nuk mund të anashkalohen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar KFOR-in për pritjen e përfaqësuesve të Ushtrisë së Serbisë në komandën e misionit paqeruajtës në Prishtinë, shkruan Gazeta Politika.

Bajqinovci, i cili drejton Komisionin parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka deklaruar se realiteti i Kosovës ka ndryshuar dhe se mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk mund të përdoren për ta përcaktuar pozitën e sotme politike të vendit.

“Realiteti i Kosovës ka ndryshuar. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj”, ka thënë ai.

Deputeti i VV-së ka sqaruar se nuk e kundërshton komunikimin ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë, nëse ai shërben për parandalimin e incidenteve dhe ruajtjen e sigurisë.

Megjithatë, ai e ka cilësuar si të papërshtatshme mënyrën se si KFOR-i e ka paraqitur publikisht takimin, veçanërisht përdorimin e shprehjes “respekt i ndërsjellë”.

“Publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e ‘respektit të ndërsjellë’, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka deklaruar Bajqinovci.

Sipas tij, KFOR-i duhet ta ketë parasysh se Kosova vazhdon t’i kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe ende përballet me pasojat e krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

Ai ka përmendur edhe varrezat masive me trupat e shqiptarëve të vrarë, duke theksuar se për familjet e viktimave këto nuk janë çështje të një të kaluare të largët.

“Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, ka thënë ai.

Bajqinovci ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, si dhe të mbajë komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës.

“Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”, ka përfunduar Bajqinovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.