Haxhiu nga Kazerma “Adem Jashari”: Synojmë anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se është krenari të shihet fuqizimi i vazhdueshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), veçanërisht përmes pajisjes me armatim të ri, raporton Ekonomia Online.

Në aktivitetet për shënimin e Ditës së Forcës, Haxhiu ka kujtuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se uniforma e ushtarëve të sotëm ua kujton ata që shërbyen me devotshmëri për lirinë e vendit.

“Është krenari për sa kohë pamë që ushtria jonë në vazhdimësi po fuqizohet me armatim. Por kur shohim vajzat dhe djemtë, të ushtrisë tonë, teksa mbajnë të veshur uniformën e Forcave  të sigurisë sw Kosovws, natyrisht që na shkon mendja tek ata që shërbyen me devotshmëri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata që u bashkuan radhëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Që, fatkeqësisht, sot nuk mund ta shohin se sa e fortë është ushtria jonë, pra sa e fortë është ushtria e Republikës së Kosovës. Ishte krenari po ashtu që të shohim fëmijët teksa me ëndje, me dashuri, me respekt i shihnin ushtarët tanë, sigurisht që ndoshta shumë prej tyre në të ardhmen do të shërbejnë në ushtrinë e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e ushtrisë, me synimin që Kosova në të ardhmen të bëhet pjesë e NATO-s.

“Si institucionet e Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve, për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin që ta forcojmë ushtrinë tonë, e që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, pikërisht krah aleatëve, partnerëve që bashkërisht me ne e kanë zhvilluar historinë e Republikës së Kosovës. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që dhanë jetën, që sot ne jemi shtet i pavarur e të jemi të lirë, e po ashtu më lejoni që të uroj Ditën e Forcës, pra 27 nëntorin, por edhe 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit”, tha ajo.

Haxhiu i bëri këto komente në kuadër të aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës së Forcës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.