
Nënkryetarja e LDK-së thotë se Kurti është “i pandryshueshëm” dhe se marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit janë dëmet më të mëdha politike që ai i ka shkaktuar Kosovës.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti nuk ka ndryshuar dhe se largimi i tij nga pushteti do të ishte “nderi më i madh që i bëhet vendit”.
Në një intervistë për emisionin Debat Plus, Bajrami tha se LDK duhet të angazhohet për një rezultat të fortë në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që të jetë pjesë e një qeverie të re pa Kurtin në krye.
“Albin Kurti nuk ndryshon, është i pandryshueshëm. LDK duhet të bëjë përpjekje maksimale që të arrijë një rezultat të mirë në zgjedhje dhe të jetë partnere në një koalicion qeverisës që ka 80 vota, që mund të zgjedhë edhe presidenten me një qeveri pa Albin Kurtin,” – deklaroi Bajrami.
Ajo akuzoi Kurtin për dëme të rënda politike ndaj vendit, duke përmendur marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit si shembuj të kësaj politike të dështuar.
“Unë besoj që largimi i Albin Kurtit, shkuarja e tij në opozitë është nderi më i madh që i bëhet vendit. Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë dëmet më të mëdha, kolosale politike që i ka shkaktuar vendit Albin Kurti,” – shtoi Bajrami.



