
Ligji përcakton përkufizime të reja për “gjininë” dhe “përkatësinë e shumëfishtë”, ndërsa kryeministri Rama dhe Komisionerja e BE-së mbrojnë ligjin përballë kritikave dhe protestave.
Kuvendi miratoi sot me 77 vota pro projektligjin “Për barazinë gjinore”, një hap i rëndësishëm drejt promovimit të barazisë dhe mbrojtjes nga diskriminimi.
Sipas ligjit të ri:
“Gjini” nënkupton rolet, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.
“Përkatësi e shumëfishtë” nënkupton ndërlidhjen e gjinisë me karakteristika të tjera të mbrojtura nga ligji, si mosha, aftësia e kufizuar, etnia, orientimi seksual ose prejardhja socio-ekonomike.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ligji është në përputhje të plotë me parimet e Bashkimit Evropian. Në një postim në rrjetin social, Rama reagoi ndaj, siç tha ai, keqpërdorimit të ligjit “për të shtrembëruar perceptimin publik”.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik…”
Duke shtuar me humor.
“Sidoqoftë, siç themi shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara.”
Rama gjithashtu shpërndau një postim të komisarës së BE-së për zgjerimin, Marta Kos, e cila theksoi se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së dhe se linjimi me këto parime është pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Kos shtoi se ligji nuk është kërkesë e ambasadorit evropian dhe se çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.
Sot në Shqipëri u mbajt edhe një protestë kundër projektligjit, ku dhjetëra qytetarë, organizata dhe aktivistë u mblodhën para Kuvendit, duke mbajtur pankarta me mesazhe si:
“Projektligji i barazisë gjinore është i barabartë me antifamilje”.
“Ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”.
“Projektligji i barazisë gjinore, armiqësi kundra besimit”.
Disa deputetë opozitarë, përfshirë kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bashkuan protestës.
Autoritetet shqiptare theksuan se projektligji ka për qëllim të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, duke garantuar barazinë ligjore dhe praktike për të gjitha gjinitë. Ligji synon gjithashtu trajtim të barabartë, pjesëmarrje, përfaqësim dhe mundësi të barabarta për gëzimin e të mirave dhe shërbimeve.
Projektligji fillimisht shkaktoi debate për përkufizimin e gjinisë si gjithëpërfshirëse, por në versionin final u përcaktua se “gjini” nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.
Pas diskutimeve dhe debateve në seancën plenare, projekti final i ligjit pritet të miratohet sot nga Kuvendi i Shqipërisë.



