
Balje konfirmon qëndrimin e saj kundër, duke theksuar mungesën e arsyeve për përkrahje dhe mosbashkëpunimin me Vetëvendosjen.
Deputetja boshnjake Duda Balje ka deklaruar se nuk do të mbështesë Glauk Konjufcën, mandatarin e dytë nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës.
Në një lidhje direkte në emisionin Debat Plus, Balje theksoi se qëndrimi i saj ndaj kandidaturës së Konjufcës nuk ka ndryshuar. Ajo u shpreh se të gjitha partitë janë deklaruar kundër dhe se pozicioni i saj, si një nga dy deputetët e komuniteteve, nuk ka ndikim të madh në vendim.
“Kjo çështje ka qenë shumë e qartë edhe pas takimit me Presidenten. Krejt partitë janë deklaruar kundër dhe nuk varet nga ne, pasi ne jemi vetëm dy deputetë të komuniteteve. Nuk kam asnjë arsye për ta përkrahur. Edhe punëtorët që kam pasur nuk janë më në punë, dhe në kontaktin e fundit me një funksionar të Vetëvendosjes, i cili e ka thirrur zëvendësin tim, është thënë: ‘Këtu përfundon bashkëpunimi’. As ata nuk duan të bashkëpunojnë me mua. Unë nuk e jap përkrahjen,” tha Balje.
Ajo gjithashtu bëri të ditur se nuk ka marrë asnjë thirrje për të votuar Glauk Konjufcën.



