
Kryeministri në detyrë vizitoi në Gjilan kompanitë që po zhvillojnë dronë ushtarakë dhe civilë, duke theksuar se Kosova po shndërrohet në një vend prodhues me kapacitete të avancuara në industrinë e mbrojtjes.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit teknologjik dhe mbrojtës, duke prodhuar tashmë dronë luftarakë dhe civilë në vend. Ai tha se shteti po shndërrohet në një vend prodhues, me synim forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe inovacionit.
Në një vizitë në Gjilan, bashkë me kryetarin Alban Hyseni, Kurti vizitoi kompanitë “Skifteri”, që prodhon dronë ushtarakë, dhe “Future Minds Academy” me “MIGA SkyShield MAR”, që merren me prodhimin e dronëve civilë.
“Made in Gjilan, përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’ arrin shpejtësi maksimale prej 180 km/h dhe lartësi deri në 2500 metra, ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, ka hapësirë operuese prej 20 km dhe shpejtësi 270 km/h,” ka deklaruar Kurti.
Ai kujtoi se Kosova ka investuar në mbrojtje duke blerë dronë nga shtetet partnere si Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger, por tani vendi po prodhon edhe vetë pajisje të tilla strategjike.
“Si qeveri, qoftë në nivel qendror apo lokal, do ta mbështesim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë në këtë sektor. Investimet në mbrojtje dhe siguri nuk do t’i ndalim,” theksoi Kurti.



