Lumir Abdixhiku shpall fitoren: Paç fat Kosovë! Dritë do të ketë!

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik, ndërsa me Lipjanin e Istogun të fituara në raundin e parë, partia udhëheq tani në shtatë komuna në nivel vendi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpallur fitoren e partisë së tij në disa komuna të vendit pas balotazhit të së dielës. Ai njoftoi se LDK-ja ka fituar në Prishtinë, Pejë, Viti, Dragash dhe Junik, ndërsa me fitoret e mëhershme në Lipjan dhe Istog, kjo parti udhëheq tashmë në gjithsej shtatë komuna, përfshirë edhe Kryeqytetin.

banner

“LDK udhëheqë në shtatë komuna, duke rikonfirmuar forcën e vet si parti e parë në nivel lokal,” tha Abdixhiku.

Në fjalimin e tij pas shpalljes së rezultateve, Abdixhiku falënderoi aktivistët dhe qytetarët për përkushtimin dhe besimin e treguar gjatë fushatës zgjedhore.

“Ju faleminderit të gjithëve për angazhimin e madh. Sonte dua t’u drejtohem me mirënjohje të thellë secilit aktivist të LDK-së, secilës vajzë e djalë, burrë e grua, secilës familje që për javë të tëra la çdo gjë mënjanë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi. Ju që ecët derë më derë, lagje më lagje, qytet më qytet. Ju që e mbajtët flamurin tonë me dinjitet. Ju jeni shtylla e fitores sonë. Prandaj, ju them se fitorja e sontme është fitore e juaja. Është shpërblim i punës suaj, i përkushtimit dhe i besimit tuaj,” u shpreh ai.

Kreu i LDK-së pati edhe një mesazh për ata që nuk e votuan partinë e tij, duke theksuar se demokracia dhe Republika e Kosovës janë për të gjithë qytetarët.

“Por sonte dua t’u flas edhe atyre që nuk na votuan. Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Sepse zgjedhjet ndajnë vetëm për një ditë — pas saj, na bashkon përgjegjësia për të ndërtuar bashkë vendin tonë,” deklaroi Abdixhiku, duke e përmbyllur me fjalët:

“Paç fat Kosovë! Dritë do të ketë!”

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.