
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për çështjen e rezervave shtetërore, një temë e madhe politike gjatë viteve të kaluara.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hajdari përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku tha se është njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
“Sapo u njoftova nga avokati im për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne” – ka shkruar Hajdari, transmeton Gazeta Politika.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022” – ka shkruar tutje ajo.



