
Nënkryetarja e PDK-së kritikon ish-zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme për përdorim të gjuhës së papranueshme ndaj gazetarëve dhe analistëve.
Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër Donika Gërvallën, duke theksuar se ajo, e veshur me pushtet politik si ish Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme, e propozuar tani për Ministre të Drejtësisë, se ka përdorur një gjuhë të papranueshme ndaj mediave, gazetarëve dhe analistëve në studio.
Sipas Çitakut, kjo sjellje tregon mungesë të thellë të kuptimit për rolin dhe përgjegjësitë që bart një person i pushtetshëm.
“Fjala publike është arma më e fortë e një politikani, dhe kur ajo keqpërdoret për të goditur pa mëshirë median dhe gazetarët, bëhet jo vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për vetë demokracinë”, ka shtuar ajo.
Çitaku gjithashtu ka lidhur sjelljen e Gërvallës me panikun e shkaktuar nga aktakuzat për korrupsion dhe manipulime me vota në Mitrovicë, duke theksuar se kjo ka çuar në humbje të kontrollit dhe përgjegjësisë.



