
Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja thotë se procesi zgjedhor në Mitrovicë është i rrënuar dhe duhet të përfshihen edhe organët e drejtësisë.
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka deklaruar se mënyra e vetme për të rikthyer integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve është organizimi i zgjedhjeve të reja në Mitrovicë.
“Sot mendojmë që ky proces duhet të bie edhe në duart e organeve të drejtësisë, pasi kemi vënë re defekte serioze në fletëvotime, të cilat kanë rrënuar besimin e opinionit publik në procesin zgjedhor,” tha Gashi.
Ai theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te numrat apo fletëvotimet, por te fakti se është cenuar vullneti i qytetarëve dhe integriteti i procesit.
“Është një rëndim serioz i integritetit të procesit zgjedhor. Po flas si anëtar i KQZ-së që e ka parë se si ka shkuar i gjithë procesi,” shtoi ai.
Sipas Gashit, në shumë vendvotime në Mitrovicën e Jugut janë vërejtur parregullsi që bien ndesh me rregulloren e KQZ-së.
Ai njoftoi se PDK ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa KQZ-ja pritet të mbajë një mbledhje për këtë çështje.
“Qoftë edhe një votë e qytetarëve të keqpërdoret, besimi duhet të rikthehet. Nuk është çështje e numrave, por e vullnetit të qytetarëve,” përfundoi Gashi.



