
Deputetja e LDK-së kritikon qeverinë për mungesë përgjegjësie dhe keqpërdorim të pushtetit, duke përmendur tenderin sekret për rezervat shtetërore dhe qindra kontrata njëburimore.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe qeverinë për, siç tha ajo, keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie institucionale. Sipas Bajramit, situata ka arritur në pikën ku edhe procesi i hemodializës në spitale është lënë pa materialet e nevojshme.
Në një postim në Facebook, Bajrami theksoi se raportimet për mungesë materialesh në SHSKUK dhe qendrat e hemodializës janë dëshmi e dështimit të qeverisë. Ajo përmendi edhe disa vendime të ekzekutivit që, sipas saj, tregojnë për keqpërdorim të pushtetit, përfshirë tenderin sekret për rezervat shtetërore dhe mbi 2400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë euro.
“Edhe hemodializën e kanë lënë pa material – kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit. Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvillu negociatat në restoranin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2400 kontrata njëburimore, po ai që ka lejuar që energjia e importuar të blihet jashtë bursës, sot e ka lënë edhe sistemin shëndetësor pa materiale të domosdoshme,” ka shkruar Bajrami.
Ajo shtoi se arsyetimet për mungesat lidhen me procedurat e prokurimit, por sipas saj, problemi është shumë më i thellë dhe lidhet me mënyrën se si qeveria e menaxhon shtetin.
“Qe pse unë dhe gjithë ata që e duan këtë shtet e kemi problem Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, sepse për ta nuk është me rëndësi shteti e qytetari, por vetëm pushteti. Largimi i tyre nga keqqeverisja është urgjencë qytetare – sa më parë aq më mirë,” ka përfunduar Bajrami.



