
Mos-ekzekutimi i pagave për 700 punëtorë lidhet sipas saj me inate politike dhe përdorim të RTK-së si mjet presioni.
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mos-ekzekutimin e pagave për punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) deri më 14 nëntor. Ajo tha se kjo po ndodh për arsye politike, me qëllim të përdorimit të institucionit si mjet presioni ndaj partive opozitare.
“Çfarë po shohim tani, ku kemi 700 punëtorë dhe 700 familje pa marrë pagat mujore, është vazhdimësi e ngecjes që Qeveria Kurti dhe LVV-ja i bëjnë RTK-së,” deklaroi Kusari për Ekonomia Online.
Ajo theksoi gjithashtu problemet strukturore të RTK-së, përfshirë mungesën e pronësisë, kushte të vështira pune, mungesën e ligjit që rregullon institucionin dhe menaxhmentin politikisht të emëruar.
Kusari kritikoi përdorimin e RTK-së si instrument politik nga kryeministri Kurti dhe LVV-ja, duke e cilësuar situatën aktuale si tentativë për shantazh ndaj partive opozitare. Ajo theksoi se buxheti i RTK-së duhej të ekzekutohej që nga gushti dhe pyeti pse vendimi ligjor i atij muaji nuk po zbatohet ende.
Sipas Kusarit, kjo situatë tregon se RTK-ja po mbetet peng e politizimit dhe nuk po sigurohet pavarësia dhe funksionimi normal i institucionit, i cili ka një rol kyç në informimin e publikut.



