
Zëdhënësi Kushtrim Xhemaili mohon çdo mundësi koalicioni me LVV-në dhe thotë se AAK nuk ka vota për Konjufcën.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e vendosur në kërkesën për zgjedhje të reja parlamentare, si mënyra e vetme për të dalë nga kriza aktuale politike. Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka deklaruar se ky ishte qëndrimi i prerë që doli nga mbledhja e Kryesisë së partisë e mbajtur të enjten.
Reagimi i Xhemailit erdhi pasi anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Krasniqi, hodhi idenë publike që Ramush Haradinaj të mund të ishte kandidat për president. Por sipas Xhemailit, të tilla ide duhej të diskutoheshin fillimisht brenda Kryesisë, për më tepër kur Krasniqi kishte munguar në mbledhjen e fundit.
“AAK ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë të enjten, ku ka dalë me qëndrim të prerë, rrugëdalja e vetme nga gjendja në të cilën ndodhet vendi është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjithë ata që dalin në publik me ide të tjera, së pari është dashur t’i prezantojnë në mbledhje të Kryesisë, sikurse rasti i z. Besnik Krasniqit, i cili ka munguar në atë takim. Nuk ka koalicion me VV, nuk kemi votë për Konjufcën dhe askënd nga radhët e tyre”, ka deklaruar Xhemaili.
AAK-ja kështu e përjashton kategorikisht çdo bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar nevojën për rikthimin e qytetarëve në kutitë e votimit.



