
Presidentja thekson se keqkuptimi ishte i paqëllimshëm dhe menjëherë është bërë korrigjimi në intervistën për Politico.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar deklaratën e saj për luftën kundër krimit, duke theksuar se ajo ka pasur fjalën për “numrin e rasteve”, dhe jo për numrin e bandave kriminale.
Në një prononcim për mediat, Osmani ka shpjeguar se keqkuptimi ishte i paqëllimshëm dhe menjëherë janë bërë ndryshimet e nevojshme në intervistën për Politico. “Ju e dini që dje kemi dhënë një sqarim. Në fakt, çfarë kam menduar ka qenë numri i rasteve, sepse bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste, qoftë të keqpërdorimit të votave, presionit të vazhdueshëm apo futjes ilegale të armëve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Presidentja ka theksuar gjithashtu se pjesët e cituara nuk u përhapën në mediat ndërkombëtare në mënyrë të plotë dhe se është siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar.



