
Kryetari i PDK-së thekson se interesi i shtetit duhet të jetë mbi interesat partiake dhe kërkon kujdes në gjuhën zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, tha sot se për partinë e tij më e preferueshme do të ishte bashkëpunimi me partitë që janë më të ngjashme në program, përfshirë ato me të cilat partia ka qenë herë në pushtet e herë në opozitë.
Ai u pyet mbi këtë çështje gjatë konferencës për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë dhe u shpreh:
“Për neve është më e preferueshme, më afër programeve tona politike, bindjeve tona politike e konceptuale, që të jemi bashkë me partitë që kemi qenë në të kaluarën herë në pushtet e herë në opozitë, në periudha të ndryshme kohore edhe në qeveri, por kemi qenë në mandatin e kaluar në opozitë. Vijat e kuqe – mendoj që është mirë që mos me u vendos sepse është treguar e dëmshme për vendin.”
Hamza gjithashtu theksoi rëndësinë që interesi i shtetit të jetë mbi interesat e partive politike dhe paralajmëroi për kujdes në gjuhën që përdoret gjatë fushatave zgjedhore:
“E kuptoj interesin e partive politike, por të gjithë ne duhet të jemi të sigurt në atë që interesi i shtetit të jetë mbi partitë politike. Kur është në pyetje interesi i shtetit, ai është prioriteti kryesor. Edhe gjuha të cilën e përdor në fushatë, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos të ndikojë që ky polarizim i shoqërisë të rritet.”



