
Deputeti i LDK-së shprehet në Blic Interview me Astrit Gashin se ofertat e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të konsiderohen serioze për bashkëqeverisje.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ishte i ftuar në emisionin Blic Interview me Astrit Gashin, ku komentoi letrat që Lëvizja Vetëvendosje u ka dërguar partive të tjera për bashkëqeverisje. Ai tha se këto letra ishin në fakt të dërguara për t’u refuzuar dhe nuk përbënin një ofertë serioze për partneritet politik.
“Tash edhe teknikalitet, me thënë të drejtën, janë të parëndësishme. Ndoshta në aspektin e perceptimit popullor më mirë duket të takosh, refuzosh ose t’i dërgosh letra të tjera, por fakti mbetet i kryer. Letrat që i janë dërguar LDK-së, ishin të dërguara për t’u refuzuar,” tha Gashi.
Ai shtoi se nuk mund të dërgosh një letër ofertë për bashkëqeverisje tek një kundërshtar politik duke vendosur kush ka ndryshuar apo jo brenda partisë.
“Nuk je ti që na cakton se sa kam ndryshuar unë ose s’kam ndryshuar dhe kush është në parti e kush nuk është. Në letër e ka shkruar ashtu,” përfundoi Gashi.



