
Ministri në detyrë akuzon LDK-në se nuk e votoi buxhetin e Prishtinës për vitin 2025, ndërsa kryetari Përparim Rama paralajmëroi pezullimin e të gjitha linjave urbane.
Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pas vendimit të Komunës së Prishtinës për pezullimin e linjave urbane të transportit publik që nga nesër.
Përmes një postimi në “Facebook”, Murati akuzoi LDK-në se po zhvillon beteja politike në kurriz të qytetarëve të kryeqytetit. Ai tha se grupi i asamblistëve të LDK-së nuk e ka votuar buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 në seancën e jashtëzakonshme, duke e lënë Komunën pa mundësi të menaxhojë financiarisht situatën.
“Po ta kishit votuar buxhetin e Prishtinës në seancën e fundit, sot Komuna e Prishtinës do ta kishte në dispozicion buxhetin e plotë, dhe fare s’do të kishte probleme. Por ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve”, ka shkruar Murati.
Reagimi i tij erdhi pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se të gjitha linjat urbane do të pezullohen duke filluar nga nesër, për shkak të situatës së krijuar me buxhetin dhe financimin e transportit publik në kryeqytet.



