
Nga e mërkura me vransira dhe reshje të dobëta shiu, ndërsa nga e enjtja pritet depërtimi i frontit të ftohtë që sjell borë edhe në ultësira.
Moti gjatë ditës së mërkurë në vend do të karakterizohet kryesisht me vransira, të shoqëruara me reshje të dobëta shiu që paraqiten herë pas here, më të shpeshta në orët e paradites dhe sërish gjatë mbrëmjes. Gjatë ditës parashihen edhe intervale të shkurtra me diell. Temperaturat mbeten të larta për këtë periudhë, me minimale nga 7°C deri në 10°C, ndërsa maksimalet arrijnë 11°C deri në 14°C. Në mëngjes frynë erë më e theksuar nga jugu dhe juglindja me shpejtësi 4–11 m/s e me hove deri në 15 m/s, veçanërisht në relievet malore.
Të enjten, me depërtimin e një fronti të ftohtë, reshjet e shiut shndërrohen në dëborë edhe në pjesët e ulëta të vendit, me gjasa që gjatë natës, në kalimin drejt së premtes, të formohet edhe një shtresë dëbore. Temperaturat pësojnë rënie të theksuar, duke zbritur deri në 2°C, ndërsa nga mbrëmja arrijnë deri në -1°C. Reshje bore e shiu vazhdojnë edhe ditën e premte, duke pushuar drejt mbrëmjes. Në disa zona reshjet mund të paraqiten si shi i akullt. Temperaturat mbeten të ulëta, me maksimalet që arrijnë vetëm 1°C deri në 2°C. Era të enjten ndërrohet nga veriu dhe fryn me intenzitet mesatar 5–11 m/s.
E shtuna pritet të jetë kryesisht me vransira, por pa reshje. Të dielën, në ultësira, mjegulla që formohet në orët e mëngjesit mund të mbetet përgjatë gjithë ditës. Temperaturat minimale zbresin deri në -2°C, ndërsa maksimalet parashihen të arrijnë rreth 6°C. Megjithatë, në zonat e mbuluara nga mjegulla e qëndrueshme, temperaturat ditore mund të mbeten afër 0°C.



