Tre ditë pa transport publik: Kolona, kaos dhe mungesë pagesash për Trafikun Urban

Për të tretën ditë radhazi, banorët e Prishtinës janë detyruar të kërkojnë zgjidhje alternative për të lëvizur në mungesë të transportit publik. Si pasojë, në kryeqytet janë krijuar kolona të gjata dhe qytetarët janë përballur me pritje të stërzgjatura, ndërkohë që Qeveria në detyrë dhe Komuna e Prishtinës vazhdojnë akuzat ndaj njëra-tjetrës për menaxhimin e situatës.

Transportuesit e “Trafikut Urban” dhe operatorët privatë protestuan dje para objektit të Komunës së Prishtinës dhe para Qeverisë, duke kërkuar që të kryhen pagesat ndaj tyre. Në shenjë proteste, ata pozicionuan autobusët për më shumë se dy orë në rrugën që lidh të dy institucionet, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit dhe krijimin e kolonave të gjata.

banner

Sindikalistët kanë paralajmëruar se greva do të vazhdojë pa afat deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, reagoi ashpër duke akuzuar Ministrin e Financave, Hekuran Murati, se ka bllokuar fondet për Trafikun Urban dhe projekte të tjera kapitale.

Sipas Ramës, punëtorët kanë punuar me muaj të tërë pa pagesë me shpresën se pas zgjedhjeve do të kompensohen, ndërsa ministri në detyrë po i trajton protestuesit ‘pa asnjë emocion’. Ai tha se u bashkua me protestën pas ftesës së punëtorëve.

Derisa institucionet vazhdojnë përplasjet politike, qytetarët mbeten të bllokuar në kaosin e krijuar, pa transport publik dhe me pak shpresë për një zgjidhje të shpejtë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.