
KQZ konfirmon se rreth 71,900 aplikime janë aprovuar, ndërsa mbi 5,900 mbeten në vlerësim.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Express se të shtunën në mesnatë është përmbyllur procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, gjatë periudhës 11-ditore të aplikimit (26 nëntor – 6 dhjetor), përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar mbi 84,700 aplikime për regjistrim. Prej tyre, janë aprovuar rreth 71,900, ndërsa rreth 6,700 janë refuzuar. Aktualisht, në proces vlerësimi janë edhe afro 5,900 aplikime.
Elezi sqaroi se shumica dërrmuese e votuesve të regjistruar kanë zgjedhur të votojnë përmes postës.
“Nga numri i përgjithshëm i aplikuesve të aprovuar, mbi 51,000 persona janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në adresat e kutive postare jashtë Kosovës, dhe rreth 2,500 të tjerë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Ndërkaq, rreth 18,000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, theksoi ai.
Procesi i vlerësimit pritet të finalizohet gjatë ditës, ndërsa KQZ pritet të publikojë të dhënat përfundimtare menjëherë pas përmbylljes së shqyrtimit të të gjitha aplikimeve.



