
Shefi i shtetit shqiptar merr pjesë në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; Policia paralajmëron ndërprerje të përkohshme të trafikut.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po vazhdon sot ditën e dytë të vizitës së tij dyditore në Republikën e Kosovës. Gjatë ditës së parë, ai u prit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe nga personalitete të tjera të jetës institucionale dhe akademike në vend.
Sipas agjendës zyrtare, Presidenti Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një prej institucioneve më të rëndësishme shkencore dhe kulturore në vend.
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 9 dhe 10 dhjetor 2025 po angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë vizitës së Presidentit Begaj. Për garantimin e mbarëvajtjes së itinerarit zyrtar dhe aktiviteteve të parapara, Policia do të zbatojë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, në intervale të shkurtra kohore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim gjatë menaxhimit të trafikut në ditët e vizitës zyrtare.



