
Ish-kryeministri thotë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës ishte vendimi më i rëndësishëm i Qeverisë Haradinaj, me mbështetjen e SHBA-së.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Ushtria e Kosovës përfaqëson një nga arritjet më të mëdha shtetërore, duke theksuar se ajo u krijua në paqe dhe në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.
Me rastin e shtatëvjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës, Haradinaj ka kujtuar se vendimi për krijimin e saj ishte ndër më të rëndësishmit e marrë nga Qeveria që ai drejtoi, me bekimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“7 vite guxim, 7 vite krenari, 7 vite Ushtria e Kosovës krah nesh. Vendimi më i rëndësishëm i marrë nga Qeveria Haradinaj me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte krijimi i Ushtrisë së Kosovës, një akt historik që vulosi sovranitetin dhe sigurinë e shtetit tonë”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Ushtria e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e dëshmorëve dhe luftëtarëve për liri, duke e cilësuar atë si amanet të brezave që ranë për vendin.
“Ushtria e Kosovës lindi nga gjaku i derdhur, nga bekimi i nënave, nga hapat e luftëtarëve që nuk u kthyen kurrë, por na lanë lirinë amanet. E bëmë ushtrinë. E bëmë shtetin më të sigurt. E bëmë Kosovën më të fortë”, ka deklaruar ai.
Haradinaj ka përfunduar duke theksuar se Kosova sot qëndron krah ushtrive të paqes, e përkushtuar për siguri, stabilitet dhe partneritet me aleatët ndërkombëtarë.



