
Agim Veliu ka refuzuar të jetë pjesë e listës së Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ndonëse ishte propozuar si kandidat për deputet nga dega e partisë në Podujevë.
Përmes një reagimi publik, Veliu tha se nuk ishte konsultuar fare para se të propozohej dhe se refuzon, siç u shpreh ai, “të përdoret”.
“Me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit”, shkroi ai.
Veliu theksoi se nuk largohet nga LDK-ja, por kundërshton drejtimin aktual të partisë.
“Unë nuk largohem nga LDK-ja, sepse është pjesë e jetës sime politike që nga themelimi i saj. Por, refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues”, tha ai.
Ai kritikoi edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe Vjosa Osmani.
“Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventura e saj pesëvjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në ‘Bashkim të madh të djathtistëve’”, shkroi Veliu.



