
Kryeministri i Kosovës ndan kujtimet nga dy takimet me Fatos Nanon, duke vlerësuar figurën e tij si një nga personalitetet qendrore të tranzicionit politik shqiptar dhe rolin e tij në mbështetje të çështjes së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit shqiptar Fatos Nano, duke ndarë kujtime personale dhe duke vlerësuar kontributin e tij në historinë politike të Shqipërisë dhe në mbështetjen e çështjes shqiptare në tërësi.
“Kur e mora lajmin për vdekjen e Fatos Nanos, më erdhën në mendje kujtime nga dy takimet që dikur i kam pasur me të,” ka shkruar Kurti. “Herën e parë në fillim të vitit 2002, disa muaj pasi kisha dalë nga burgu në Serbi, ku isha mbajtur si rob lufte bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë. Kjo përvojë e imja u kthye natyrshëm në temë të bisedës sime me Nanon në atë takim tonin njohës.”
Ai kujton edhe takimin e dytë me Nanon, kur ky i fundit ishte Kryeministër i Shqipërisë, në një takim ku morën pjesë edhe Adem Demaçi dhe Arbën Xhaferi. “Nga atëherë, më kanë ngelur të pashlyeshme nga kujtesa bisedat e tij plot pasion për politikën me Bacin Adem, simbolin e rezistencës sonë, dhe me Arbën Xhaferin, liderin politik aq origjinal,” ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar se Fatos Nano ka qenë një figurë qendrore e tranzicionit të Shqipërisë nga sistemi monist drejt demokracisë liberale dhe pluraliste. Ai ka rikujtuar se Nano ka shërbyer tre herë si Kryeministër i Shqipërisë:
• Nga 22 shkurti deri më 4 qershor 1991, në periudhën e kalimit nga komunizmi në demokraci;
• Nga 25 korriku 1997 deri më 27 shtator 1998, gjatë trazirave të brendshme dhe luftës në Kosovë;
• Dhe nga 29 shtatori 2002 deri më 1 shtator 2005, kur Shqipëria po përballej me sfidat e rindërtimit institucional pas krizave politike.
Kurti ka theksuar edhe roli i rëndësishëm i Nanos në vitet e para të luftës së Kosovës, kur territori shqiptar shërbeu si hapësirë e lirë për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Historia moderne e shtetit shqiptar dhe ajo e Kosovës do ta kenë të dendur emrin e tij mes politikanëve shqiptarë të viteve ’90 dhe fillimshekullit XXI,” ka shtuar Kurti, duke përmbyllur mesazhin me fjalët:
“Ngushëllime familjes Nano, bashkëpunëtorëve dhe bashkëpartiakëve të Fatos Nanos, si dhe miqve e të afërmve të tij. U kujtoftë mes kryeministrave të Shqipërisë, për rolin e tij historik.”



