
Kreu i BDI-së tha se rezultati është mesazh reflektimi për mënyrën e përfaqësimit lokal, ndërsa akuzoi kundërshtarët për “bashkime artificiale” dhe keqpërdorime shtetërore.
Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se koalicioni “Aleanca për Kombin Integrues” (AKI) ka fituar votën popullore me mbi 23 mijë vota diferencë, megjithëse nuk arriti të sigurojë shumicën e kryetarëve të komunave.
“Kemi fituar shumicën e votës kombëtare,” tha Ahmeti në një deklaratë publike, duke shtuar se ky rezultat tregon për mbështetjen e gjerë që BDI dhe aleatët e saj gëzojnë në elektorat, por edhe nevojën për reflektim dhe rinovim të qasjes lokale.
“Rezultatet janë tashmë të njohura. Ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet të votës kombëtare, me mbi 23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar komunash. Ky është një mesazh që ne e pranojmë. Qytetarët kërkojnë që të rinovojmë mënyrën se si i përfaqësojmë këto vlera në terren,” – u shpreh Ahmeti.
Duke folur për rivalët politikë, Ahmeti tha se “bashkimet artificiale” midis partive kundërshtare dhe “keqpërdorimet e resurseve shtetërore” kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar.
“Bashkimet artificiale mund të na sjellin edhe pasoja në të ardhmen. Këto u pasuan me keqpërdorime të resurseve shtetërore dhe shantazhe e presione financiare mbi votuesit,” – theksoi kreu i BDI-së.
Ahmeti paralajmëroi një “analizë të thelluar” të rezultateve dhe rinovim të strukturave partiake.
“Ne do të bëjmë një analizë të thelluar, do të rinovojmë rradhët dhe strategjitë tona, dhe do të korrigjojmë çdo mangësi për të ofruar më shumë dhe më mirë për qytetarët,” – shtoi ai.
Në fund, lideri i BDI-së tha se fokusi i partisë në periudhën e ardhshme do të jetë forcimi i bazës lokale dhe përmirësimi i shërbimeve komunale.
“Do të punojmë për përfaqësim më efektiv dhe për menaxhim më të mirë të komunave tona, sepse qytetarët kërkojnë efikasitet, jo vetëm premtime,” – përfundoi Ahmeti.



