Ali Ahmeti që premtoi se do të “shkelë” në çdo komunë, u “shkel” nga koalicioni VLEN

Kreu i BDI-së, që gjatë fushatës zgjedhore paralajmëronte fitore të thellë në të gjitha komunat, u përball me një rezultat të hidhur — koalicioni VLEN e tejkaloi pothuajse në çdo bastion tradicional të integristëve.

“Aq shumë jemi të organizuar. Do të shkelim, ta dish!” — ishte fjalia që Ali Ahmeti e përdori me entuziazëm gjatë fushatës zgjedhore, nën tingujt e këngës patriotike “Jam këtu”, duke i dhënë mbështetjen kandidatit të BDI-së për Tetovën, Bajram Rexhepi. Por, nëse përdorim të njëjtin fjalor metaforik, në këto zgjedhje lokale BDI-ja dhe koalicioni i saj u “shkelën” praktikisht në shumicën e komunave.

Në Tetovë, bastionin ku BDI-ja ka selinë qendrore, dallimi prej mbi 5 000 votash mes fituesit Bilall Kasami (VLEN) dhe kandidatit të mbështetur nga Ahmeti dëshmoi një humbje të thellë.

Edhe pse garoi në kuadër të koalicionit “Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim”, në natën e rezultateve Ahmeti doli i vetëm përballë mediave, pa dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe Arben Taravari. Në fjalën e tij, kreu i BDI-së u përpoq të ruante tonin fitimtar, duke theksuar se partia kishte marrë shumicën e votave për këshillat komunalë, por njëkohësisht pranoi humbjen në garat për kryetarë komunash.

“Ne kemi fituar shumicën e votës kombëtare në këto zgjedhje, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetarë komunash. Ky është një mesazh kompleks që ne e pranojmë me respekt dhe përgjegjësi. Do të bëjmë analizë të thelluar dhe do të rinovojmë radhët tona”, deklaroi Ahmeti.

Ndryshe nga herët e tjera, ai nuk qëndroi për t’u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve. Kujtojmë se në daljen e mëparshme, kur u pyet nëse do të jepte dorëheqje pas humbjeve, Ahmeti reagoi me nervozizëm: “Përse të tërhiqem ore vëlla? Humbësi duhet të tërhiqet, jo fituesi.”

Ndërkaq, Arben Taravari, tashmë pjesë e koalicionit VLEN, komentoi se “populli ka dhënë një përgjigje të qartë” dhe se përzgjedhja e disa kandidatëve në disa komuna nga ana e BDI-së “duhej të ishte menduar më mirë”.

Rezultatet zyrtare tregojnë se BDI-ja ka fituar vetëm në katër komuna — Studeniçan, Likovë, Pllasnicë dhe Çashkë — ndërsa koalicioni VLEN ka triumfuar në nëntë: Çair, Tetovë, Dibër, Bogovinë, Dollnen, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë. Në Strugë, fitorja i takoi kandidatit të pavarur Mendi Qyra, i mbështetur nga VLEN.

Ndërkohë, gara për Gostivarin dhe Vrapçishtin mbetet e hapur, pasi në rrethin e parë nuk u arrit censusi i nevojshëm për zgjedhje të vlefshme.

Back to top button