
Alush Gashi, zyrtar i LDK-së, ka përkujtuar Xhemail Mustafën, ish-themelues i LDK-së dhe këshilltar i Ibrahim Rugovës, president historik i Kosovës, në ditën e vrasjes së tij.
Gashi ka rrëfyer se si gjatë kohës sa ishte Mustafa gjallë, i ngatërronin njerëzit me njëri-tjetrin.
Gashi ka shkruar se kur nuk arritën ta frikësojnë, Mustafën e dërguan në përjetësi.
“Me Xhemën punuam së bashku për më shumë se një dekadë. Shpesh bisedonim te bagremi para Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e shndërruar në seli të LDK-së dhe në shtëpi të pavarësisë së Kosovës. Aty, te bagremi, Xhema gjente një moment për një cigare, ndërsa unë për t’ia kujtuar se duhani duhej lënë. Ai qeshte dhe më thoshte: “Unë do ta lë duhanin, por thuaji edhe atij brenda”, duke aluduar për Ibrën, siç i referoheshim Presidentit Rugova. Pas një kohe, Xhema e la duhanin, por na la edhe neve, pa e pasur në plan dhe pikërisht kur na duhej më shumë.
Xhema ishte zëdhënësi i LDK-së, zëdhënësi i një lëvizjeje të mençur e të fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Kur nuk arritën ta frikësojnë, e dërguan në përjetësi” – ka shkruar Gashi, ndër të tjera.




