Ambasadorët perëndimorë nderojnë Rugovën: Ai e mësoi botën se liria fitohet me paqe, jo me dhunë

Ambasada amerikane, franceze dhe britanike vlerësojnë trashëgiminë politike e intelektuale të ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke theksuar rolin e tij historik në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Në 20-vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, përfaqësues të lartë diplomatikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë homazhe pranë varrit të tij, duke nderuar figurën dhe kontributin e tij historik për paqen dhe lirinë.

banner

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati, vizitoi varrin e Rugovës së bashku me presidenten Vjosa Osmani. Në një postim zyrtar, Ambasada amerikane e përshkroi Rugovën si një “vizionar të paqes”, duke theksuar se ai i mësoi botës se “guximi dhe dinjiteti — jo dhuna — janë rrugët e vërteta drejt lirisë”.

“Dr. Rugova ishte një vizionar i paqes që udhëhoqi popullin e tij me urtësi dhe përkushtim, duke dëshmuar se dialogu dhe qëndrueshmëria janë themeli i lirisë”, thuhet në postimin e ambasadës.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, vendosi një kurorë lulesh mbi varrin e Rugovës. Ambasada franceze e përshkroi atë si “burrë shteti vizionar dhe arkitekt të paqes”, duke theksuar se ai e shkroi historinë e Kosovës përmes angazhimit të tij politik dhe intelektual.

“Në rrugëtimin e tij, Rugova u formua intelektualisht edhe në Paris, një nga kryeqytetet botërore të mendimit dhe kulturës, djep i ideve të lirisë dhe dialogut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Francës.

Homazhe bëri edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili e cilësoi Rugovën si “udhëheqës dhe shtetar të zgjuar” dhe “vizionar të vërtetë”. Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar është krenare që ka mbështetur procesin e pavarësisë së Kosovës, të udhëhequr në mënyrë paqësore nga Rugova.

“Sot u bashkova me presidenten Osmani dhe kolegët diplomatikë për të nderuar trashëgiminë e tij të qëndrueshme. Ai mbetet arkitekti paqësor i pavarësisë së Kosovës, një proces që MB-ja është shumë krenare ta ketë mbështetur”, shkroi Hargreaves.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.