
Ministri kërkon tërheqjen e materialeve dhe verifikim institucional, duke paralajmëruar rrezik për shtrembërim të së vërtetës historike.
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ndaj ekspozitës së vendosur në sheshin e Prishtina, ku prezantohen të dhëna për masakrat gjatë luftës në Kosovë, duke e cilësuar të papranueshëm publikimin e materialeve me pasaktësi.
Sipas Hotit, në kuadër të kësaj ekspozite janë evidentuar raste ku faktet janë paraqitur gabimisht dhe në disa raste edhe në mënyrë të shtrembëruar, çka, sipas tij, cenon drejtpërdrejt të vërtetën historike.
Ai ka theksuar veçanërisht pasaktësitë në rastin e masakrës në Krushë të Madhe, ku përveç numrit të viktimave, sipas tij, paraqitet edhe një narrativë e rrezikshme dhe e pavërtetë se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen ndërsa burrat janë vrarë. Hoti ka kundërshtuar këtë pretendim, duke theksuar se në këtë masakër janë vrarë edhe gra, përfshirë gra shtatzëna.
Po ashtu, ai ka ngritur shqetësime edhe për paraqitjen e masakrës në Burgun e Dubravës, ku, sipas tij, numri i viktimave nuk përputhet me të dhënat e konfirmuara, ndërsa cilësimi i disa prej tyre si “persona të armatosur” është plotësisht i pavërtetë. Ministri thekson se të burgosurit shqiptarë kanë qenë civilë, të pambrojtur dhe nën kontroll të plotë të forcave serbe.
“Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet dhe të përforcojnë narrativa të rreme”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të materialeve që përmbajnë pasaktësi dhe për një verifikim të plotë institucional të përmbajtjes së ekspozitave publike që trajtojnë krimet e luftës. Gjithashtu, ka ftuar institucionet përgjegjëse, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe mekanizmat për hetimin e krimeve të luftës, që ta shqyrtojnë këtë çështje.
Në fund, Hoti ka theksuar se e vërteta për krimet e kryera në Kosovë nuk mund dhe nuk duhet të shtrembërohet, duke e cilësuar atë si themel të drejtësisë dhe detyrim ndaj viktimave dhe historisë.



