
Kandidati i VV-së për kryetar të Gjakovës i dërgon një ftesë të hapur Shefqet Shehut dhe degës së LDK-së për të bashkuar forcat dhe rikthyer qytetarët në qendër të qeverisjes komunale.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje!, Ardian Gola, ka dërguar një ftesë publike për bashkëpunim degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjakovë, me qëllim të krijimit të një koalicioni që, sipas tij, reflekton interesat e qytetarëve dhe jo agjendat politike qendrore.
Në letrën e tij, Gola shpreh shqetësimin për qeverisjen aktuale në Gjakovë, që sipas tij është shndërruar në një sistem të ngurtë klientelist, duke ndarë privilegje në vend të mundësive dhe duke pamundësuar frymën e meritokracisë. Ai thekson se qytetarët kanë humbur lidhjen me pushtetin lokal dhe se ndryshimi është imperativ qytetar dhe politik.
“Gjakova ka nevojë për rotacion, jo për riciklim, për frymë të re dhe jo marrëveshje të vjetra,” shkruan Gola, duke ftuar LDK-në të bashkojë forcat me VV-në për një qeverisje që promovon drejtësi, barazi dhe zhvillim.
Ai propozon një takim me ekipet e të dyja palëve për të konkretizuar marrëveshjen e bashkëpunimit, me shpresën që Gjakova të kthehet në duart e qytetarëve të saj, larg struktura të ngulitura partiake që pengojnë zhvillimin dhe transparencën.



