
Deputeti i PDK-së thotë se retorika e Kurtit rrezikon raportet strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit që për herë të parë u bë i sinqertë! Më në fund me gojë të vet e pranoi se është një antiamerikan i përbetuar!”, shkroi Behrami në një reagim publik.
Ai e akuzoi Kurtin për anti-amerikanizëm të hapur, duke thënë se një retorikë e tillë rrezikon raportet strategjike të Kosovës me SHBA-në. Sipas tij, është “skandaloze” të thuhet se Shtetet e Bashkuara janë kundër sovranitetit dhe demokracisë së Kosovës, duke kujtuar rolin e Uashingtonit në ndërtimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.
Behrami theksoi se interesat amerikane dhe ato të Kosovës nuk kanë qenë kurrë në kundërshtim, ndërsa cilësoi Kurtin si “pengesën kryesore” për Kosovën në këtë moment, duke argumentuar se qasja e tij i shërben vetëm një agjende përçarëse.



