Bajrami godet Vjosa Osmanin: Ajo është fajtore pse LDK ra në 12% – nuk ka më vend për të në parti

Deputetja e LDK-së deklaron se Presidentja Vjosa Osmani ka qenë shkaktarja kryesore e krizës më të madhe elektorale të partisë dhe se nuk ka më vend në strukturat e saj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke e cilësuar si përgjegjësen kryesore për rënien e madhe të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

Në një intervistë të dhënë në emisionin “Debat Plus”, Bajrami tha se Osmani është personifikimi i periudhës më të errët në historinë elektorale të partisë dhe se nuk e sheh të mundur rikthimin e saj në LDK.

“Sipas meje, personalisht, Vjosa Osmani është fajtori kryesor pse LDK-ja në vitin 2021 ka ra në 12 për qind. Dhe, iu rikujtoj deklaratën e Vjosa Osmanit kur ka thënë: ‘Nëse unë nuk jam në LDK, nuk jam në politikë’,” deklaroi Bajrami.

Deputetja theksoi se LDK-ja duhet të fokusohet në reformimin e brendshëm dhe në ndërtimin e një identiteti të ri politik, duke lënë pas konfliktet e së kaluarës që, sipas saj, e kanë dëmtuar rëndë partinë në zgjedhje.

Back to top button