
Marrëveshja synon qeverisje të përgjegjshme dhe bashkëpunim të gjerë për zhvillimin e komunës. Kandidati i LDK-së, Alban Ismajli, thotë se ky është një hap drejt unitetit dhe transparencës në shërbim të qytetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë nënshkruar një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në komunën e Gjilanit, pak ditë para mbajtjes së balotazhit zgjedhor.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Alban Ismajli, ka bërë të ditur se kjo marrëveshje është rezultat i një vullneti të përbashkët për të krijuar një qeverisje që bashkon dhe vepron me përgjegjësi.
“Sot nënshkruam një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie,” ka shkruar Ismajli në një postim publik.
Ai ka theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje që vendos interesin publik mbi gjithçka, duke garantuar transparencë, bashkëpunim dhe vizion të përbashkët për zhvillimin e qytetit.
Ismajli ka falënderuar Lutfi Hazirin, kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, dhe Riad Rashitin, kryetar i degës së PDK-së, për gatishmërinë dhe frymën e bashkëpunimit, të cilën e ka quajtur thelbësore për “të mirën e qytetit tonë”.
“Gjilani i ri meriton stabilitet, zhvillim dhe udhëheqje që bashkon. Dhe këtë do ta bëjmë bashkë me besim në Zot, me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve tanë,” ka shtuar ai.



