BE-ja mirëpret miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave: Kosova një hap më afër SEPA-s

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar atë si hap përpara në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, ka thënë se ky hap kontribuon edhe në integrimin gradual të Kosovës në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian.

“Ky është një lajm i mirë! Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”, ka thënë Schuebel.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të enjten, në shqyrtim të dytë, Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Miratimi i këtij ligji është pjesë e veprimeve që Kosova duhet t’i ndërmarrë në procesin drejt anëtarësimit në SEPA.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.