Gresa Hasa për protestat në Shqipëri: Revoltë kundër një shteti mafioz dhe klasës politike që e mban në këmbë

Aktivistja Gresa Hasa ka komentuar protestat në Shqipëri, duke thënë se në mesin e qytetarëve mbizotëron një ndjenjë e fortë trishtimi, dëshpërimi dhe zemërimi.

“Ekziston një ndjenjë e jashtëzakonshme trishtimi, dëshpërimi dhe zemërimi në mesin e turmave. Njerëzit ndiejnë se u është grabitur dinjiteti dhe se u është mohuar mundësia për të bërë jetë normale, të shëndetshme dhe të begatë. Kjo ndjenjë është veçanërisht e fortë te brezat e rinj”, ka shkruar Hasa.

Ajo ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve dhe Qeverisë së Shqipërisë, duke pretenduar se ato veprojnë në shërbim të mafies.

“Shteti në Shqipëri është shndërruar në një ndërmarrje mafioze, funksioni kryesor i së cilës është pastrimi i parave të pista në kurriz të arsimit, industrisë, mjedisit natyror dhe çdo gjëje tjetër që i del përpara. Qeveria punon për mafien. I ndryshon ligjet për t’i shërbyer mafies. Shkatërron qytete dhe burime jetese për mafien”, ka deklaruar ajo.

Sipas Hasës, qytetarët për 138 ditë kanë parë trajtim të pabarabartë nga Policia ndaj figurave të dyshuara për lidhje me mafien dhe politikanëve të korruptuar, në raport me protestuesit paqësorë.

“Për 138 ditë, qytetarët kanë parë policinë duke i trajtuar figurat mafioze dhe politikanët e korruptuar me një respekt të jashtëzakonshëm, ndërsa protestuesit paqësorë i ka nënshtruar ndaj dhunës brutale dhe të paprovokuar, përfshirë të moshuarit, vetë gjyshërit e tyre. Ata kanë parë politikanë duke ekspozuar pasurinë e tyre me vetura luksoze dhe veshje firmato, duke shfaqur vetëm arrogancë dhe përbuzje, ndërkohë që shqiptarët e zakonshëm luftojnë për t’ia dalë në një vend të goditur nga varfëria dhe vështirësitë”, ka shkruar Hasa.

“Tani, njerëzit kanë arritur pikën e thyerjes”, ka shtuar ajo.

Hasa ka kritikuar edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai po përpiqet t’i paraqesë protestat si një manovër politike të organizuar nga opozita.

“Megjithatë, Edi Rama po i rikthehet sërish retorikës së njohur të ‘agjentëve të huaj’, duke u përpjekur t’i diskreditojë protestat duke i paraqitur ato si një manovër politike të orkestruar nga opozita, në vend që ta pranojë burimin e vërtetë të trazirave: zemërimin, dëshpërimin dhe ndjenjën e thellë të padrejtësisë që i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë”, ka shkruar ajo.

“Kjo është luftë klasore. Por, mbi të gjitha, është revoltë kundër një shteti mafioz dhe gjithë klasës politike që e mban atë në këmbë”, ka përfunduar Hasa.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.