
Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur vonesë të pajustifikueshme dhe të ndikuar nga kalkulimet politike vendimin e Gjykatës Speciale për zgjatjen e afatit për shpalljen e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së.
Artan Behrami nga PDK ka thënë se nëse ish-krerët e UÇK-së dënohen nga gjykata, kjo do të ndikojë edhe në stabilitetin në Kosovë. Sipas tij, në vazhdimësi gjatë procesit gjyqësor ka pasur mungesë totale të transparencës, shkelje të të drejtave të njeriut, konventave e Kushtetutës, shkruan KOHA.
Behrami ka theksuar se qytetarët e Kosovës nuk do ta pranojnë “një verdikt që bazohet në padrejtësi”, teksa u shpreh se bazuar në ato që janë thënë nga trupi gjykues e prokurorët gjatë procesit, është lënë të kuptohet se ndaj ish-krerëve do të jepet aktgjykim dënues.
“Ky verdikt do të shpallet herëdokur. Çfarëdo rezultati që do të ketë, ndikimi i atij verdikti do të jetë tektonik edhe në skenën politike të Kosovës, por nëse është dënues edhe në stabilitetin e Kosovës. Këto kalkulimet politike të disa shteteve të BE-së dhe Gjykatës Speciale që një verdikt, qoftë edhe dënues, mund të publikohet në verë kur shqiptarët e Kosovës janë disi më të relaksuar dhe nuk janë prezentë në Kosovë, janë kalkulime djallëzore”, ka thënë Behrami, transmeton KOHA.



