
Profesori dhe analisti Blerim Latifi ka komentuar takimin mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke thënë se çështja e presidentit mbetet pika kryesore që i ndan dy partitë.
Sipas Latifit, Kurti kërkon një “president konsensual”, të cilin ai e interpreton si një figurë pa peshë të madhe politike dhe pa ndikim në vendimmarrjen e tij.

Në anën tjetër, sipas Latifit, Abdixhiku kërkon që posti i presidentit t’i takojë një figure të rëndësishme të LDK-së, e cila do të shërbente si garanci për peshën politike të kësaj partie në një koalicion eventual me Vetëvendosjen.
“Ajo mendon se pa këtë garanci, çdo relevancë e saj në qeverinë e Kurtit thjesht do të mbetet një fjalë goje. Ky pra është thelbi i mosmarrëveshjes për presidentin, mosmarrëveshje e cila e mban peng formimin e institucioneve dhe paralajmëron zgjedhjet e reja”, ka shkruar Latifi.
Ai thotë se ekzistojnë vetëm dy mënyra për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.
“Ose VV pajtohet t’ia japë LDK-së presidentin, ose LDK-ja pranon t’i nënshtrohet kërkesave të Vetëvendosjes”, ka deklaruar Latifi.
Sipas tij, në skenarin e parë Vetëvendosje nuk do të humbiste shumë, ndërsa në të dytin LDK-ja do të rrezikonte dinjitetin dhe peshën e saj politike.
“Në alternativën e parë, Vetëvendosja nuk humbet ndonjë gjë të madhe, edhe pse asaj i duket e tillë, ndërsa në alternativën e dytë LDK-ja humbet diçka bazike: këmbimin e dinjitetit të saj për një grusht postesh qeveritare”, ka shkruar Latifi.



