
Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, ka folur për rëndësinë e 16 shtatorit, datë kur pritet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në emisionin “Info Magazine”, Murati ka thënë se kjo do të jetë një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën dhe për mënyrën se si do të shihet historia e popullit shqiptar dhe lufta çlirimtare.

Sipas tij, pavarësisht se cili do të jetë vendimi, Kosova pas 16 shtatorit nuk do të jetë e njëjtë, ndërsa pret që të ndryshojë edhe dinamika e zhvillimeve politike.
“Do të jetë ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën, ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për mënyrën se si do të shihet historia jonë, e popullit shqiptar, dhe luftës çlirimtare. Nuk do të jetë e njëjtë Kosova pas dhe para kësaj date, nuk do jetë e njëjtë çfarëdo qoftë vendimi i kësaj, nuk do të jetë e njëjta skena politike, mendoj se do të ketë dinamikë tjetër të zhvillimeve politike, e mbi të gjitha mendoj që kjo do të ketë edhe një ndikim në mënyrën se si edhe bota dhe gjeneratat e reja e shohin luftën tonë”, ka thënë Murati në Klan Kosova.



