
Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se gjatë një shekulli janë zhvilluar projekte dhe politika të ndryshme me synim, sipas tij, shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët.
Duke folur me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, Buxhovi e cilësoi këtë datë si ndër më të rëndësishmet në historinë kombëtare, duke theksuar se ajo përmbyll një periudhë të gjatë shtypjeje, dhune dhe përpjekjesh për zhvendosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këto 100 vjet kemi pasur një kohë të shtypjes, gjenocidit, vuajtjeve dhe eksperimentimeve të ndryshme për ta larguar një popull të lashtë nga trojet e veta. Ka qenë projekt hegjemonist serb, deri te politikat e Millosheviqit, që kishin për qëllim zhvendosjen e shqiptarëve përmes programeve të ndryshme”, u shpreh ai në “Konfront” të KTV-së.
Sipas Buxhovit, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ndali një nga projektet e fundit të zhvendosjes masive të shqiptarëve gjatë periudhës mars–qershor të atij viti.
Ai theksoi se rrugëtimi historik drejt shtetësisë përbën një pjesë të rëndësishme të kujtesës kolektive, duke shtuar se shpallja e pavarësisë përfaqëson realizimin e aspiratës shekullore për shtet të pavarur.



