
Nënkryetarja e PDK-së akuzon kryeministrin në detyrë për dështime qeverisëse, izolim të vendit dhe retorikë përbuzëse ndaj qytetarëve.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas konferencës së sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar paraqitjen e tij si të padenjë dhe të shkëputur nga realiteti i qytetarëve.
“Konferenca e sotme për shtyp, që duhej të mbahej në selinë e Vetëvendosjes e jo në ndërtesën e Qeverisë, do të ishte material i mirë për komedi sikur Kosova të mos ishte në gjendjen e rëndë ku ndodhet sot”, tha Çitaku, duke theksuar se vendi po përballet me izolim, sanksione dhe vështirësi të theksuara ekonomike.
Ajo kujtoi premtimet e Kurtit për shumicë parlamentare, të cilat ai vetë i relativizoi në konferencë.
“Për nëntë muaj me radhë, A.K. na ka thënë se i ka numrat. Sot, me nënqeshje ironike, pranoi se i paska pasur ‘verës’, me votim të fshehtë, por tani nuk i paska më”, shtoi Çitaku.
Sipas saj, kryeministri në detyrë e sheh shtetin si skenë teatri dhe qytetarët si publik që presin spektakël, ndërsa rezultatet e pesë viteve të qeverisjes së tij janë të qarta: izolim i Kosovës në arenën ndërkombëtare, rritje të varfërisë dhe largim masiv të të rinjve.
“Njeriu që nuk ka lënë vlerë pa nëpërkëmbur e njeri pa fyer, sot fliste sërish për nevojën që ai të fitojë ‘referendumin’, jo zgjedhjet. Sepse për të, qeverisja ka kuptim vetëm nëse sundon i vetëm”, deklaroi ajo.
Çitaku e mbylli reagimin me një mesazh të prerë ndaj Kurtit:
“Jo më, A.K. Tashmë nuk je më i pasprovuar. Populli e di kush je dhe çfarë sjell qeverisja jote.”



