
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka komentuar bashkimin politik të Vjosa Osmanit me LDK-në gjatë një aksioni simbolik të mbajtur në sheshin e Prishtinës, afër objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Molliqaj tha se rikthimi i Osmanit në LDK po paraqitet në mënyrë të ekzagjeruar dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për interesa politike.
“Po garojnë për pak më shumë deputetë, me pas pak ma shumë hise në qeverinë e ardhshme”, deklaroi ai.
Sipas Molliqajt, Osmani nuk është kthyer realisht në LDK.
“Kthimi që u trumbetua me të madhe i Vjosa Osmanit në LDK, i ka dy probleme të mëdha. Është një mashtrim i madh publik, Osmani nuk është kthyer fare në LDK”, tha ai.
Ai shtoi se presidentja po e përdor LDK-në për interesa të ardhshme politike.
“Ajo po e përdor LDK si trampolinë për potencialisht naj pozitë të ardhshme në institucionet e Kosovës”, u shpreh Molliqaj.



