
Daut Haradinaj ka bërë thirrje për një qasje të përbashkët politike dhe kombëtare ndaj Gjykatës Speciale, duke thënë se kjo çështje duhet të dalë mbi përplasjet e përditshme partiake.

“Strategjia ndaj kësaj gjykate politike u kërkon të gjithëve, pashmangshëm, të dalin mbi politikat ditore, të brendshme e banale”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, por nevojitet një qasje gjithëkombëtare dhe bashkërendim me faktorët vendorë dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Duhet bashkërendim i hapave të mëtejshëm me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është momenti për të hedhur topin nga njëra palë te tjetra, as për t’ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit”, ka thënë ai.

Haradinaj ka kërkuar që partitë të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për hapa të përbashkët.
“Populli është në sheshe. Politika duhet të ulet në tavolinë. URGJENTISHT!”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se diskutimet nuk duhet të bëhen për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, në koordinim edhe me Shqipërinë dhe aleatët ndërkombëtarë.



