
Ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka njoftuar se ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë, pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara.

Tahiri ka thënë se kjo vizitë ishte ndryshe nga udhëtimet e tjera që ka bërë gjatë gjashtë viteve të fundit, duke e cilësuar vendimin ndaj Thaçit si të padrejtë.
“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe. U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, Thaçi ishte i qetë dhe besonte se vendimi do të korrigjohej në shkallën e dytë.

“E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi”, ka thënë Tahiri.
Ai ka përcjellë edhe një mesazh nga Thaçi për qytetarët që po protestojnë në Prishtinë.
“Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë”, ka shkruar Tahiri.



