
Marjana Koçeku, deputete në Kuvendin e Shqipërisë, ka shkruar një status në lidhje me paralajmërimin për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër.
Koçeku ka kundërshtuar hapjen e konsullatës serbe, duke shkruar se në Kosovë është gjetur një varr masiv në Zubin Potok.

Ajo ka theksuar se të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër.
Postimi i plotë:
Para dy ditësh filluen gërmimet në Zubin Potok për gjetjen e trupave të viktimave të luftës së Kosovës. Dyshohet për nji varrezë masive me 23 intelektualë të vramë nga forcat serbe, ndërsa deri më tash janë gjetë trupat e 6 prej tyne.
Dje, gjatë bastisjeve, u gjet edhe armatim, si dhe u arrestue nji person që kishte qenë anëtar i Armatës Jugosllave.
Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Po çfarë konsullate more?!
Deri më sot për këtë çështje ka vetëm sqarime të turbullta nga institucionet shqiptare, pra përpjekje me mos me sqaru hiç.
Flitet për parime diplomacie, marrëdhanie bilaterale, përfitime ekonomike por harrojnë ma të randësishmen: realitetin e nji populli të masakruem.
Të dielën pritet të nisin protestat në Shkodër kundër hapjes së konsullatës serbe.
Kjo nuk asht nji punë që kalon lehtë.
Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë e fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive trupash të vramë edhe tash mbas 25 e kusur vitesh.



